Qytetarë të shumtë ndoqën këtë ngjarje, teksa në Kosovë po mbahen manifestime të ndryshme për të shënuar 15-vjetorin e shtetësisë.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, i ka quajtur pasardhës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ushtarët FSK-së dhe Policisë së Kosovës. Në parakalimin e Trupave të Forcës të Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, Osmani ka thënë se Kosova është e shenjtë dhe si e tillë duhet të ruhet.
“Jo rastësisht trupat e FSK-së do të parakalojnë në tre sheshe emblematike. Sikur Ushtria jonë që na bënë krenare, ashtu edhe Policia e Kosovës e cila u përball me angazhim të shtuar për shkak të situatës së krijuar në veri të vendit ka treguar përkushtim. Republika jonë mbanë vulën e sakrificës. Kuadratet e Ushtrisë që parakalojnë para nesh janë pjesa më e ndritshme e historisë sonë të re, dhe ndërlidhja e dy periudha historike që i dhanë udhë lirisë sonë shtet-ndërtimit dhe shtet-formimit. Republika e Kosovës është e përjetshme, dhe duhet vazhduar ta ruajmë atë”, ka thënë Osmani.
Ndërsa, kryeministri i vendit Albin Kurti në ceremoninë e parakalimit të trupave të FSK-së e policisë së Kosovës ka thënë se ndihet krenar që Kosova ka ushtri e polici kaq profesionale.
“Këto rrugë ku do të parakalojnë forcat tona, janë rrugë kur dikur në kohëra të dhimbshme, parakalonin protestuesit, demonstruesit e paarmatosur. Është dashur shumë dhembje shumë mund e sakrificë që të vijmë në këtë ditë. Betimi i ushtarakëve tonë, policëve tonë, i manifestuar me gatishmëri u dëshmua disa herë në përkthimin e sigurisë që vendi jonë ka kaluar kohëve të fundit. Policët tanë krijuan profesionalizëm. Pjesëtarët e FSK-së kanë intensifikuar punën për të shtuar radhën e tyre me ushtarë të rinj”, ka thënë Kurti në fjalën e tij.





























