Kurti dhe Vuçiq do të takohen në pasditen e së hënës në Bruksel, në kuadër të dialogut që e ndërmjetëson BE-ja.
I pyetur për pritjet nga ky takim, Stano ka thënë se nuk mund të parashikohet diçka e tillë.
“Gjithçka varet nga gatishmëria e kryeministrit Kurti dhe presidentit Vuçiq që të pajtohen për rrugën përpara”.
Ai ka theksuar se BE-ja është vetëm ndërmjetësuese në dialog dhe se përparimi varet nga gatishmëria e palëve.
“Pritjet e BE-së nga liderët e të dyja shteteve, shefat negociatorë, përfaqësuesit, është qasja evropiane që u mundëson atyre të gjejnë forcën, kurajën, gatishmërinë për kompromis evropian, në të mirë të popujve të tyre dhe në interes të perspektivës evropiane për Kosovën dhe Serbinë”.Stano ka thënë se e ardhmja evropiane e Kosovës dhe Serbisë varet nga përparimi që bëhet në dialog.
“Përparimi arrihet përmes kompromiseve, angazhimit konstruktiv dhe të kuptuarit se kjo është mënyra e vetme për të përmbushur synimet e tyre strategjike”.
Blloku evropian e konsideron takimin e gjashtë mes dy liderëve si më të rëndësishmin, sepse kësaj here, sipas burimeve në Bruksel, nuk do të ketë diskutime për menaxhimin e krizave, por për një dinamikë të re të raporteve raporton Radio Evropa e Lirë.
Të dyja palët pritet të arrijnë pajtueshmëri për propozimin e BE-së, si një “marrëveshje bazë” për normalizimin e raporteve.
Këtë propozim e përkrahin edhe Shtetet e Bashkuara.





























