Kryeministri Albin Kurti ka diskutuar me ambasadorët e pesë shteteve të QUINT-it mbi aplikimin e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Evropës, bëhet e ditur në një komunikatë për media të Qeverisë të premten.
Sipas njoftimit, Kurti ka falënderuar ambasadorët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Gjermanisë, Francës dhe Italisë për mbështetjen e tyre për këtë aplikim.
“Republika e Kosovës ndanë të njëjtat vlera dhe parime me Këshillin e Evropës, dhe këto janë të mishëruara edhe në Kushtetutën tonë, nëpërmjet inkorporimit të konventave të rëndësishme të Këshillit të Evropës. Ai theksoi se përparimet e dukshme të Republikës së Kosovës në indekset ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut, të demokracisë dhe të sundimit të ligjit, janë disa nga dëshmitë që tregojnë se Republika e Kosovës duhet të jetë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës dhe procesi i filluar i anëtarësimit duhet të vazhdojë pa vonesë”, thuhet në njoftim.Ndërkaq zëvendësministri i Punëve të Jashtme, Kreshnik Ahmeti, sipas njoftimit, i ka njoftuar ambasadorët me zhvillimet e deritashme në këtë proces.
“Opinioni ligjor mbi aplikimin e Republikës së Kosovës, i dhënë nga Departamenti Ligjor i Këshillit të Evropës, ka vulosur një herë e përgjithmonë të drejtën e Republikës së Kosovës për të qenë anëtare e plotë në këtë organizatë. Lobimi intensiv dhe i koordinuar me partnerët, ka siguruar mbështetjen e nevojshme për procedimin e mëtutjeshëm të aplikimit të Republikës së Kosovës, drejt anëtarësimit të saj në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.
Po ashtu bëhet e ditur se Kurti ka njoftuar ambasadorët për zhvillimet e fundit në dialogun me Serbinë dhe ka shprehur gatishmërinë për të diskutuar për planin e zbatimit në kuadër të propozimit evropian.





























