Ai ka theksuar se Gjermania i gëzohet rezultateve pozitive të dialogut në takimin e Brukselit ku palët deklaruan se pranojnë propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Ai theksoi se në dhjetë ditët e ardhshme, Kosova dhe Serbia pritet bëjnë përparim vendimtar, në mënyrë që të sqarohet mekanizimi i implementimit të marrëveshjes.
Presidenti i Serbisë Vuçiq dhe Kryeministri Albin Kurti të hënën në Bruksel kanë pranuar planin gjermano-francez për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Por, propozimi ende nuk është nënshkruar. Cilat janë pritjet tuaja?
Jörn Rohde: Fillimisht gëzohem shumë që kemi rastin të takohemi dhe të flasim përsëri për RTK-Radio. Natyrisht, gëzohemi shumë për rezultatet pozitive të dialogut në takimin e nivelit të lartë, që u mbajt të hënën në Bruksel. Siç e thatë dhe ju, të dyja palët janë deklaruar se pranojnë propozimin e Bashkimit Evropian, i cili është përpiluar me iniciativën gjermano-franceze. Siç e dimë, tashmë edhe Qeveria gjermane e mbështet shprehimisht dialogun, që po udhëhiqet nga BE-ja dhe përpjekjet e të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak. Propozimi është një mundësi e madhe për të bërë një hap të madh përpara për arritjen e një normalizimi gjithëpërfshirës dhe kjo mundësi duhet të shfrytëzohet nga palët. Prandaj, ishte shumë e rëndësishme që palët u takuan në Bruksel dhe u pajtuan në parim për pranimin e këtij propozimi, Megjithatë, disa çështje thelbësore ende kanë mbetur të hapura. Kështu, Kosova duhet të tregohet e gatshme të flasë lidhur me Asociacionin e komunave serbe dhe tani ajo që mbetet është implementimi i aneksit të propozimit, sepse pa u pajtuar për zbatimin e aneksit zor se do të jetë i mundur zbatimi i marrëveshjes. Tani presim që bisedimet të vijojnë në mënyrë konstruktive dhe të dyja palët, të themi ashtu, të tregojnë angazhim politik.





























