Gjendja në veriun e Kosovës vazhdon të jetë ende e tensionuar, sidomos pas kidnapimit të tre policëve kufitarë të Kosovës nga ana e ushtarëve serbë para disa ditësh.
E duket se kidnapimi i policëve kosovarë ka qenë mirë i organizuar nga ana e shtetit serb.
Veriu.info mëson nga burimet e saj se Serbia ka filluar të fus dronë brenda territorit të Kosovës që një ditë para kidnapimit të tre policëve të Kosovës, për të vëzhguar terrenin dhe mirëorganizuar aksionin e datës 14 qershor.
Po ashtu mësohet se një fenomen i tillë ka vazhduar pothuajse çdo ditë pas kidnapimit, ku Serbia po fut vazhidmisht dronë brenda territorit të Kosovës për të vëzhguar terrenin , pikat kufitare në Leposaviq dhe Zubin Potok dhe pikat statike të Policisë së Kosovës të vendosura afër këtyre vijave kufitare nga shteti i Kosovës.
Sipas burimeve të Veriu.info policët e Kosovës kanë lajmëruar këto raste tek zingjiri komandues.
Gazeta ka tentuar të marrë një përgjigje për këtë çështje nga ana e Policisë së Kosovës, por të njëjtit nuk janë përgjigjur në pyetjet e gazetës.
Veriu.info ka kontaktuar komandantin rajonal të Policisë së Kosovës për veri, Veton Elshani, por i njëjti nuk dha përgjigje duke na orientuar për përgjigje tek zëdhënësi i Policisë Baki Kelani.
Sërish tentuam të marrim përgjigje por zëdhënësit e policisë së Kosovës, Baki Kelani dhe Luljeta Mehmeti nuk hapën telefonin e më pas nuk u përgjigjen në sms-t e gazetës.





























