Reagime të shumta pasuan pas përleshjeve fizike që ndodhën të enjten pasdite ndërmjet deputetëve në Kuvendin e Kosovës, me ҫ’rast u ndërpre edhe fjalimi i kryeministrit të Kosovës.
Përleshjet shpërthyen mes deputetëve të PDK-së në opozitë dhe kabinetit qeveritar, derisa kryeministri Albin Kurti po fliste në kuvend për situatën në veri të Kosovës dhe pajtimin që është arritur me Bashkimin Evropian për hapat e parë brenda dy javësh drejt uljes së tensioneve në katër komunat e banuara me shumicë serbe.
Fjalimi i kryeministrit disa herë u ndërpre nga thirrjet e opozitës, të cilët kryeministrin e cilësuan “gënjeshtar”.
U desh ndërhyrja e sigurimit të kryeministrit për të vënë situatën nën kontroll, ndërsa, kryetari i Parlamentit, Glauk Konjufca, kërkoi ndërhyrjen e policisë brenda seancës së Kuvendit, raporton dw.
Debatet e ashpra pas publikimit të bisedave të Mimoza Kusari-Lilës
Tensionet në Kuvendin e Kosovës dhe debatet e ashpra disa ditë më parë, nisën pasi portali kosovar Nacionale, publikoi disa biseda të shefes së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila me përfaqësues të Listës Serbe, përfshirë nënkryetarin e kësaj partie, Milan Radojçiq, i cili ka urdhër arrest nga Kosova dhe është në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për “përfshirje në krim të organizuar dhe korrupsion”.





























