Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë një politikë për t’i aftësuar të rinjtë për mbrojtjen e shtetit.
Ministria e Mbrojtjes (MM) ka finalizuar draftin e një udhëzimi administrativ, i cili ka për qëllim përcaktimin e autoriteteve, përgjegjësitë, mënyrën e organizimit dhe zhvillimit të edukimit, vetëdijesimit dhe ngritjes së potencialit të qytetarëve të Kosovës për shërbim në fushën e Mbrojtjes. Udhëzimi është paraparë të zbatohet nga Ministria dhe nga Forca e Sigurisë (FSK) brenda territorit të shtetit, përkatësisht nga personeli civil dhe ushtarak që punojnë dhe shërbejnë në këto institucione.
“MM-ja dhe FSK-ja përmes mekanizmave dhe strukturave përkatëse organizative do të zhvillojnë procesin e edukimit, vetëdijesimit dhe ngritjes së potencialit të qytetarëve të Republikës së Kosovës në fushën e mbrojtjes, me qëllim të vetëdijesimit dhe nxitjes së të kuptuarit publik për rëndësinë dhe angazhimin e tyre në fushën e mbrojtjes”, thuhet në nenin 4 të këtij dokumenti. “DBNj (Njësia e Burimeve Njerëzore v.j.) në MM dhe FSK-ja janë përgjegjëse për hartimin e planeve dhe programeve të edukimit të qytetarëve në fushën e mbrojtjes”.
Është paraparë që MM-ja dhe FSK-ja të themelojnë ekipe mobile të përbëra nga zyrtarë civilë dhe ushtarakë, për t’i zbatuar programet e edukimit të qytetarëve, me theks të veçantë të të rinjve për rëndësinë e vetëdijesimit të tyre dhe angazhimit në fushën e mbrojtjes.
Në draftin e udhëzimit administrativ theksohet se MM-ja në bashkëpunim me institucionet qendrore dhe lokale do të themelojnë zyrat mobile në të gjitha rajonet e RKS-së, të cilat në vazhdimësi do të jenë në dispozicion të publikut.
“Zyrat mobile do të jenë të kompletuara me pajisje dhe me personel të trajnuar, i cili do të angazhohet për prezantimin e politikave të edukimit, vetëdijesimit dhe angazhimit të qytetarëve në fushën e mbrojtjes”, thuhet në dokument.
Janë shtatë objektiva të fushatës së edukimit në fushën e mbrojtjes, të listuara në dokument: Përgatitja e planeve dhe programeve për edukimin dhe trajnimin e të rinjve për shërbim në FSK; Edukimi i të rinjve në mbrojtje të shtetit; Nxitja e vetëdijes qytetare dhe patriotike të të rinjve për shërbim në FSK; Sigurimi i shoqërisë me burimet e nevojshme informuese mbi rëndësinë e mbrojtjes shtetërore; Promovimi i mundësive për konkurrim dhe përzgjedhje në FSK; Bashkëpunimi me institucione, shoqata, OJQ dhe grupe të interesit, në fushën e mbrojtjes, nxitja e të kuptuarit publik për rëndësinë e përfshirjes së të rinjve në FSK; Prodhimi i materialeve audiovizuale mbi çështjet e sigurisë dhe të mbrojtjes shtetërore në bazë të standardeve më të larta.





























