Ajo, në llogarinë e saj personale në Facebook, ka shkruar para pak ditësh, “Mësimdhënës, mos i dënoni nxënësit të qëndrojnë në një këmbë për mungesë tekstesh”, duke ju drejtuar në këtë mënyrë mësuesve dhe arsimtarëve “të ashpër”, që mos t’i dënojnë nxënësit të cilët nuk kanë arritur ende t’i blejnë librat.
Drejtoresha Kadriu, gjatë një bashkëbisedimi për KosovaPress, ka bërë të ditur se janë shënuar disa raste nëpër shkolla të ndryshme të Komunës së Mitrovicës, ku mësimdhënësit kanë dënuar nxënësit e tyre për mungesë të teksteve shkollore, duke i detyruar ata të qëndrojnë në një këmbë, ose edhe në forma tjera.
Ajo nuk ka dashur të përmend emra, për shkak të siç u shpreh, etikës, integritetit dhe dinjitetit të personave në fjalë, por tha se ka biseduar me mësimdhënësit në fjalë dhe ata janë të gatshëm të përmirësohen çdo ditë.
“Po sigurisht po, përderisa unë e kam shprehur atë qëndrim në Facebook, ka pasur raste të tilla, por që janë evituar dhe eliminuar… Unë nuk do ta bëjë publike për shkak të etikës, integritetit dhe dinjitetit të personave në fjalë, dhe më lejoni t’ju them se mësimdhënësit e rinj kanë nevojë më shumë për përgatitje profesionale për t’i realizuar misionet e tyre në klasë. Mësuesi ka shumë role brenda klasës, jo vetëm mësimdhënien, por ka edhe edukimin, edhe për fëmijë të varfër, edhe për ata me gjendje të ndryshme sociale, andaj ne do t’u ofrohemi të gjithë mësimdhënësve të rinj, sipas nevojave që ata kanë, t’i përgatisim më mirë dhe më shumë për punën e tyre në klasë… Për mua është temë e mbyllur kjo, sepse kemi biseduar me drejtorë, janë disa raste… Kemi biseduar, dhe mësimdhënësit e rinj janë të gatshëm të përmirësohen çdo ditë”, tha ajo.





























