Sipas Osmanit, ky problem i serbëve në veri vjen si pasojë e frikës nga njerëzit që paguhen e nxiten nga vetë Aleksandar Vuçiq, ku teksa këto deklarata ajo i bëri në një intervistë për “Politico”, shtoi se serbëve lokalë atje po u bëhet presion që të mos marrin pjesë në këto zgjedhje, dhe se nuk po shohin ndonjë lëvizje ku Vuçiq do të ndalojë të ndërhyjë në zgjedhjet e një shteti tjetër.
“Jemi të gatshëm të mbajmë këto zgjedhje, problemi është se komuniteti serb që jeton në veri të Kosovës, që është vetëm një e treta e të gjithë serbëve që jetojnë në Kosovë, po frikësohet nga njerëzit që paguhen, përkrahen dhe nxiten nga vetë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe nga Serbia. Atyre u bëhet presion të mos marrin pjesë në zgjedhje. Ne ende nuk po shohim lëvizje ku Vuçiqi do të ndalojë së ndërhyri në zgjedhjet e një shteti tjetër”, tha Osmani.
Ajo shpreson që komuniteti ndërkombëtarë të mos lejojë sërish Vuçiqin të bëjë presion, ndërsa shtoi se serbët lokalë nuk i bojkotuan zgjedhjet në mënyrë vullnetare.





























