Qendra monstruoze e KB Trepça, Jordy Tshimanga, po dyshohet së është zënë duke përdorur substanca të dopingut, shkruan Mitropol.
Gjatë ditës së sotme në mediumet sportive në vend Tshimanga ishte krye tema e ditës, gjersa për këtë reaguan edhe udhëheqësit e Federatës së Basketbollit në Kosovë, FBK.
Sekretarja e kësaj federate, Elvira Dushku, në një prononcim për Assisti Online, deklaroi se aktualisht FBK nuk ka ndonjë informacion zyrtar për këtë çështje.
”Nuk kemi informata nga organet kompetente për një rast të tillë. Në momentin që pranojmë informata, atëherë ne do të veprojmë konform rregulloreve në fuqi si vendore ashtu edhe ato ndërkombëtare të anti-dopingut”, tha Dushku.
Por dilema e ditës ishte se për cilën ndeshje përdori Tshimanga substanca dopingu? Burime të Mitropol thonë se Tshimanga është testuar pozitivisht për doping në njërën nga ndeshjet që KB Trepça i ka zhvilluar në kuadër të FIBA Europe Cup.
Jordy Tshimanga performancën më të mirë në kuadër të FIBA Europe Cup e kishte pasur kundër ekipit Parnu Sadam, ku në këtë ndeshje ishte paraqitur me double double prej 14 pikëve, 12 kërcimeve, 3 topave të vjedhur dhe 4 bllokadave.
Aktualisht asgjë nuk është konfirmuar as nga FIBA e as nga KB Trepça, këta të fundit deri më tani nuk kanë deklaruar ndonjë gjë për situatën në fjalë.





























