Vetëm gjatë ditës së djeshme, janë raportuar dy raste të dhunës në familje që kanë ndodhur në qytetin e Mitrovicës. Njëri prej tyre është denoncimi i një gruaje, e cila ka njoftuar Policinë për dhunën që po përjeton nga bashkëshorti i saj, teksa në rastin tjetër i dyshuar është një burrë, i cili përfundoi në ndalim pasi familja e raportoi.
Burimet brenda Prokurorisë kanë njoftuar se në rastin e parë, ngjarja ka ndodhur në rrugën “Mbretëresha Teuta”, ku një grua 41-vjeçare ka kërkuar ndihmë me pretendimet se burri i saj A.Q., po i shkakton dhunë fizike psikike, duke e sharë e ofenduar në vazhdimësi.
Sipas dëshmisë të viktimës, të dhënë para hetuesve policorë, telashet në familje po shkaktohen si pasojë e burrit të saj, i cili konsumon alkool në masë të madhe dhe më pas krijon probleme. Si rezultat i denoncimit, Policia është vënë në lëvizje dhe e ka arrestuar të dyshuarin. Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, i njëjti është ndaluar për 48 orë.





























