Zyrtarët policorë në Vushtrri, së bashku me njësitë e zjarrfikësve kanë lokalizuar zjarre masive dhe kanë arritur të identifikojnë një person të dyshuar.
“Gjatë ditës së sotme në zonën e Vushtrrisë janë paraqitur disa raste të zjarreve në lokacione të ndryshme“, thuhet në komunikatën e Policisë.
Siç bën të ditur Policia, në njërin lokacion, zyrtarët policorë kanë identifikuar një zjarr i cili ishte afruar afër shtëpive të banuara, ku dhe janë njoftuar zjarrfikësit të cilët kishin qenë të angazhuar në disa zona tjera.
Deri në momentin kur zjarrfikësit kanë arritur në lokacionin në fjalë zyrtarët policorë se bashku me disa qytetarë kishin arritur që të lokalizojnë zjarrin që kishte përfshirë dy shtëpi te pabanuara dhe u ishte afruar shtëpive tjera të banuara”, shkruan tutje.

Rreth orës 19:30, falë angazhimit të zyrtarëve policorë dhe njësive të zjarrfikësve të Brigadës së Zjarrfikësve të Vushtrrisë, Mitrovicë Jugu dhe Mitrovicë Veri, është arritur që të lokalizohen zjarret në gjashtë lokacione ku ishin të përfshira nga zjarri sipërfaqe prej dhjetëra hektarësh pyje dhe ara (hamullore) dhe gjendja të kthehet në normalitet.
Njësitë policore kanë arritur që të identifikojnë një person të dyshuar, për shkaktimin e zjarrit në një nga zonat e përfshira nga zjarri dhe në konsultim me prokurorin, i njëjti është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit ndërsa është iniciuar rasti: ,,shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Gjithashtu janë iniciuar edhe dy raste tjera për veprën e njëjtë penale kurse hetimet do të vazhdojnë në drejtim të identifikimit të personave të mundshëm te dyshuar.





























