Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla, ka bërë të ditur se janë rihapur pikat kufitare në Jarinje dhe Bërnjak.
Ato ishin mbyllur mbrëmë pasi që disa grupe në veri të Kosovës kishin vënë barrikada nëpër rrugë.
Largimi i barrikadave ishte kusht që të shtyhet për 30 ditë masa e reciprocitetit me dokumente, ndërsa Svecla ka bërë të ditur se të gjitha barrikadat janë larguar.
“Të nderuar qytetarë të Republikës së Kosovës, Barrikadat e vendosura nga strukturat ilegale serbe mbrëmë, 15 minuta pas lëshimit të sistemit të alarmit dhe të shpërndara në 9 lokacione të ndryshme në veriun e vendit, tashmë janë larguar plotësisht nga vetë ata. Liria e lëvizjes është e plotë dhe pikat kufitare Jarinje dhe Bërnjak janë të hapura për qytetarët”, shkruan ai në Facebook.





























