Gazeta Sinjali në vazhdimësi ka raportuar për arrestimin e personave të dënuar nga Gjykatat në vend për vepra të ndryshme penale, por që të cilët arrijnë t’iu ikin vuajtjes së dënimit. Në listën e personave që janë kapur së fundmi nga Policia është edhe një 27-vjeçar, i cili është arrestuar mbrëmë në pikën kufitare në Vërmicë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për S.T., i cili ka rezultuar person i shpallur në kërkim policor, pasi u ndalua për verifikim nga Policia Kufitare. Ndaj të riut Gjykata Themelore në Pejë kishte lëshuar urdhërarrest për veprën penale “vjedhje e rëndë”, por i njëjti kishte arritur ta shijojë lirinë që një kohë.
Pas arrestimit, Sinjali mëson se i dyshuari është ndaluar në stacion policor, për t’u marrë më pas veprimet e tjera ligjore.
Përveç tij, të njëjtat burime thonë se është arrestuar edhe një person tjetër i kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë, për veprën penale “vjedhje të shërbimeve”. Sinjali merr vesh se bëhet fjalë për një 53-vjeçar, i cili ishte dënuar me burgim për këtë vepër penale. Pas arrestimit, i njëjti është dërguar në vuajtje të dënimit.





























