Një aksion i njësisë së Antidrogës që u zhvillua sot në Veri të vendit rezultoi me sekuestrimin e rreth 10 kg drogë dhe arrestimin e një personi të dyshuar. Bastisja u zhvillua në një shtëpi në afërsi të Shkollës Teknike në Mitrovicën e Veriut, teksa i dyshuari është shoqëruar në stacion policor.
Mësohet se personi që u arrestua në lidhje me këtë rast është Vladan Petranovic, 33-vjeçar.
Bastisjet në shtëpinë e të dyshuarit u kryen me urdhër të Prokurorit të Shtetit dhe aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake.
Droga që u sekuestrua u gjet në një çantë, ku ishin të vendosura paketimet me substancë të dyshuar narkotike, të llojit marihuanë. Përveç drogës, Sinjali mëson se gjatë këtij aksioni Policia ka sekuestruar edhe një telefon e llaptop, që do të përdoren si dëshmi për rastin.
Ndërkohë i dyshuari është shoqëruar në stacion policor për intervistim dhe ndaj tij, me urdhër të Prokurorit të Shtetit është iniciuar rasti për veprën penale “Posedimi, shitja ose shpërndarja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge”.





























