Rastet e grabitjeve përveç humbjeve po shkaktojnë edhe pasiguri e ankth te punëtorët që shpesh përballen me hajdutët. Me një rast të tillë janë ballafaquar në fillim të dhjetorit edhe disa të rinj që po punonin në marketin QTA në Mitrovicë, i cili ishte cak i grabitjes.
Burimet nga Prokuroria kanë bërë me dije se një person i maskuar, ka arritur të hyjë në market dhe nën kërcënimin e armës, ka kapur të gjitha paratë që ndodheshin në arkë, dhe më pas është larguar.
Sinjali mëson se shuma e parave që u grabitën është rreth 2 mijë euro.
Gjatë hetimeve, Policia ka identifikuar një person që dyshohet se ka qenë i përfshirë në rastin e grabitjes.
Policia ka zbarkuar në shtëpinë e të dyshuarit në Mitrovicë të cilën e kanë bastisur dhe ia kanë gjetë një armë zjarri, një thikë dhe disa dëshmi tjera.
I dyshuari nuk është gjetur në shtëpi gjatë bastisjes, ndërsa kanë nisur hetimet për ta gjetë të dyshuarin.
Sipas informacioneve, i dyshuari është futur në listën e personave të kërkuar nga Policia e Kosovës.
Policia javë më parë kishte kapur një 40-vjeçar, F.R., i cili dyshohet se ka qenë i përfshirë në grabitjen e QTA-së.
I njëjti, pas arrestimit ishte dërguar në mbajtje për 48 orë, me vendim të Prokurorit të Shtetit.





























