Gjermania do të ndryshojë Rregulloren për Ballkanin Perëndimor, ku parashikohet dyfishimi i numrit të punëtorëve që mund të vijnë nga këto vende dhe të gjejnë punë në GjermaniAutoritetet gjermane synojnë të dyfishojnë kuotën për imigrimin e punëtorëve të pakualifikuar nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Serbia, Mali i Zi dhe Bosnjë-Hercegovina, thuhet në një projektligj të përgatitur nga Ministria federale e Punës dhe Ministria e Brendshme e Gjermanisë, në të cilin ka pasur akses agjencia gjermane e lajmeve, DPA.
Në të ardhmen, në vend të 25.000 punëtorëve sa lejohen tani me Rregulloren për Ballkanin Perëndimor, numri do të dyfishohet në 50.000 punëtorë pa kuaflifikime të cilët brenda një viti mund të vijnë në Gjermani, shkruan DW.
Me të ashtuquajturën “Rregullorja për Ballkanin Perëndimor” lejohet aktualisht ardhja në Gjermani e 25000 punëtorëve ka kualifikime, nga të gjitha gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Këta punëtorë duhet të gjejnë së pari një kontratë punë e pastaj duhet të kërkojnë termin për një vizë pune në ambasadat gjermane në vendin ku jetojnë.
Sipas ligjeve aktuale, fuqia e kualifikuar punëtore mund të vijë në Gjermani nga të gjitha vendet e botës. Ndërsa vetëm nga Ballkani Perëndimor mund të marrin punë dhe vizë pune, edhe punëtorët pa kualifikime profesionale.
Kjo Rregullore është hartuar pas valës së parë të krizës së refugjatëve në vitin 2015 dhe 2016, pasi që në kohën e valës së madhe të refugjatëve nga Siria në Gjermani ka ardhur edhe një numër i madh i shtetasve të Kosovës, Shqipërisë, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës.





























