Pronarët dhe punëtorët e kompanive të autobusëve të linjës Mitrovicë-Prishtinë dhe anasjelltas, protestuan këtë të martë para objektit të Komunës së Mitrovicës. Ata kërkuan ndalimin e qarkullimit të kombi-busëve dhe taksive ilegalë, pasi siç thanë, po e pengojnë punën e tyre.
Protestuesit parkuan dhjetëra autobusë para oborrit të Komunës, ndërsa akuzuan këtë institucion se nuk po ndërhynë përmes inspektorëve për të ruajtur konkurrencën.
Ata u pritën në takim nga kryetari i Mitrovicës, Bedri Hamza, i cili u premtoi zbatim të ligjit.
Hamza tha se në takim me protestuesit ka sqaruar se ligji do të zbatohet për të gjithë, përfshirë edhe kompanitë e autobusëve.
“Kanë qenë sot në zyrën time dhe kemi biseduar. Ju kam sqaruar se ligji do të zbatohet dhe secili do ta përfundojë pjesën e vet të punës. Edhe niveli qendror, sepse trafiku ndër-urban dihet se në përgjegjësi të kujt është”, deklaroi ai.
“Edhe komuna në këtë rast dhe Policia duhet ta kryejnë pjesën e vet secili. Ligji kur them se do të zbatohet, nuk nënkupton që do të zbatohet vetëm ndaj njërës palë. Ligji duhet të zbatohet për të gjithë, duke përfshirë këtu edhe kompanitë e autobusëve”, shtoi Hamza.
I pyetur nëse kanë mungesë të inspektorëve në Mitrovicë apo arsyet pse nuk po gjendet një zgjidhje për problemin disa vjeçar të mini-busëve dhe taksive ilegalë, ai refuzoi të përgjigjej, duke ia hedhur fajin nevelit qendor.
“Komuna e Mitrovicës nuk ka dhënë dhe s’mund të japë leje për qarkullimin ndër-urban të taksive. Do të thotë, janë ilegalë. Inspektori i Mitrovicës del në territor të Mitrovicës, por qysh del jashtë?”, deklaroi kryetari Hamza.





























