Policia e Kosovës ka hedhur poshtë pretendimet e drejtorit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë për shpeshtim të rasteve të ngacmimeve seksuale ndaj grave serbe nga shqiptarët në veri të vendit.
Petar Petkoviq e ka bërë një deklaratë të tillë, siç raporton portali i televizionit publik serb, pas takimit me homologun e tij kosovar, Besnik Bislimin, dhe të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Bruksel, më 24.10.2024.
“Biseduam për terrorin e Albin Kurtit dhe spastrimin etnik që Qeveria në Prishtinë po e bën ndaj serbëve. Ne theksuam rastet e shpeshtuara të ngacmimit seksual ndaj grave serbe nga ana e shqiptarëve. Dëshmitë e këtyre grave i ka marrë KFOR-i dhe të gjitha organizatat e tjera ndërkombëtare nga të cilat kërkojmë që të ndalet ngacmimi i grave serbe”- citohet të ketë thënë Petkoviq.
Lidhur me këto deklarata, KALLXO.com ka kontaktuar Policinë e Kosovës dhe KFOR-in.
Policia e Kosovës ka hedhur poshtë akuzat e Petar Petkoviqit.
Drejtoria Rajonale Mitrovicë – Veri e Policisë së Kosovës ka bërë të ditur për KALLXO.com se gjatë këtij viti janë regjistruar dhjetë raste të ngacmimeve seksuale në veriun e vendit.
Të dyshuar, sipas Policisë, janë tetë persona të nacionalitetit serb, ndërsa për dy rastet e tjera nuk dihet nacionaliteti i të dyshuarve
Gjatë këtij viti në Polici janë lajmëruar 10 raste të ngacmimeve. Në këto raste viktimat sipas nacionalitetit janë 8 serbe dhe 2 shqiptare. Kurse, të dyshuar të përfshirë në këto raste janë 8 serbë dhe në dy raste të dyshuarve nuk u dihet nacionaliteti, rastet janë duke u hetuar nga hetuesit policorë” – thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Gjithashtu, Policia jep detaje edhe për të dy rastet për të cilat nuk dihet nacionaliteti i të dyshuarve për veprën penale – ngacmim seksual.
“Në dy rastet ku nuk dihet nacionaliteti i të dyshuarve kanë ndodhur njëri me 24.05.2024, ku viktima femër ka raportuar se një i dyshuar nga vetura i ka thënë ‘”Cao Lepotice’ dhe i ka kërkuar numrin e telefonit. Në rastin tjetër, më 26.09.2024 ku ankuesja raporton se ishte ngacmuar nga një person i panjohur nga një profil në rrjete sociale”- thuhet në përgjigjet e Policisë së Kosovës për KALLXO.com.
Policia e Kosovës i bën thirrje çdo qytetari që ka njohuri apo është pre e ndonjë rasti kriminal ta lajmërojë rastin në stacionin më të afërt policor ose në numrat e telefonit
Policia si i vetmi institucion që trajton rastet e tilla, do ta trajtojë çdo rast me profesionalizëm, integritet e paanësi”- thekson Policia.
KALLXO.com e ka pyetur edhe KFOR-in nëse ka pranuar ankesa për rastet që i ka përmendur Petkoviq.
Në përgjigje thuhet se përfaqësuesit e KFOR-it u takuan në gusht me një delegacion të grave nga veriu i Kosovës për të dëgjuar shqetësimet e tyre.
“Në gusht, përfaqësuesit e KFOR-it u takuan me një delegacion të grave nga veriu i Kosovës për të dëgjuar shqetësimet e tyre. KFOR-i rikonfirmoi përkushtimin e tij të palëkundur në mbështetje të sigurisë së qëndrueshme për të gjithë njerëzit dhe komunitetet në gjithë Kosovën. Kjo ka qenë pjesë e shkëmbimeve të rregullta të personelit të KFOR-it për të kuptuar zhvillimet që mund të ndikojnë në sigurinë e komuniteteve lokale”- thuhet në përgjigjen e KFOR-it për KALLXO.com.





























