Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë së Serbisë, gjenerali Milan Mojsilloviq, ka mbajtur një konferencë të jashtëzakonshme për medie, ku ka folur lidhur me situatën në Kosovë.
“Sipas të gjitha fakteve, komandantin e KFOR-it e informova se po i vëzhgojmë ngjarjet me ankth të madh dhe kërkojmë që të merren masa urgjente për mbrojtjen e popullit serb dhe të drejtën tonë për mbijetesë”, tha gjenerali Mojsiloviq.
Siç tha ai, kjo është një kërkesë për njësitet e KFOR-it dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare të sigurisë në Kosovë.
“Ushtria serbe përmbush të gjitha detyrimet e saj ligjore ndërkombëtare që dalin nga Rezoluta 1244, marrëveshja teknike ushtarake dhe të gjitha procedurat e përkohshme për regjimin e punës përgjatë vijës administrative. Por sot është e qartë se komuniteti ndërkombëtar nuk po i përmbush detyrimet e veta. Ushtria në përputhje me Kushtetutën e Serbisë dhe Kartën e OKB-së nëse merr urdhër nga komandanti suprem, ai do t’i kryejë të gjitha detyrat e tij në lidhje me krizën e përgjithshme të sigurisë. Rroftë Serbia”, përfundoi fjalimin e tij i Mojsilloviq.





























