Mosarritja e uljes së tensioneve në veri të Kosovës vazhdon të mbajnë peng raportet e Qeverisë së Kosovës me partnerët perëndimorë, BE-në dhe SHBA-në.
Autoritetet e Kosovës janë shprehur të gatshme t’iu përgjigjen kërkesave të këtyre partnerëve, si dhe kanë dhënë propozimet se si të arrihet dalja nga kriza. Por, deri më tash, nuk është arritur ndonjë rezultat.
Tensionet në veri të vendit, të banuar me shumicë serbe, nisën më 26 maj, kur kryetarët e rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit, hynë në ndërtesat komunale nën përcjelljen e Policisë së Kosovës.
Kjo u kundërshtua nga serbët lokalë, të cilët që atëherë po zhvillojnë protesta, duke kërkuar tërheqjen e kryetarëve të rinj dhe të njësive speciale të Policisë së Kosovës.
Kërkesat e serbëve të veriut të Kosovës, të cilët bojkotuan zgjedhjet lokale të 23 prillit, u mbështetën nga Beogradi zyrtar.
Tensionet përshkallëzuan më 29 maj, kur pjesëtarët e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, u përleshën me protestuesit serbë. Për pasojë pati dhjetëra të lënduar nga të dyja palët.





























