Shoqëria civile dhe partitë opozitare kërkojnë që kryeministri Albin Kurti të ketë koordinimin me aleatët pasi tashmë po rrezikohen edhe projektet në kuadër të programit të Instrumentit të Asistencës së Para-anëtarësimit në Bashkimin Evropian, i njohur me akronimin IPA, i cili financohet nga BE-ja për vendet e Ballkanit Perëndimor për vitin 2024.
Arbëresha Loxha-Stublla, drejtoreshë ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë se Kosova vetëm nga programet IPA deri në vitin 2020 ka përfituar 1.2 miliardë euro, ndërsa këtë vit janë nënshkruar marrëveshje edhe për rreth 64 milionë të tjera si ndihmë financiare për Kosovën.
Ajo thotë se ndikimi i pezullimit të këtyre fondeve do të fillojë të ndihet nëse situata nuk ndryshon së shpejti dhe kriza fillon e thellohet.
“Prej vitit 2007 deri në vitin 2020 përmes 14 marrëveshjeve ose partneriteteve në kuadër të IPA-s që Kosova e ka pas me IPA I dhe IPA II, ka përfituar 1.2 miliardë euro ndihmë financiare prej BE-së. IPA III që është nënshkruar së fundmi parasheh ndihmë financiare për Kosovën që është rreth 64 milionë euro, pra këto janë shumat financiare të IPA-ve të cilat i ka përfituar Kosova ose të cilat pritet t’i përfitojë. BE është donatori më i madh për Kosovën. Përmes IPA-s janë financuar sektorë të ndryshëm, ose parashihen të financohen sektorë të ndryshëm, përfshirë, bujqësinë, energjinë, arsimin, por edhe shoqërinë civile. Efektet reale të këtyre masave mund të vërehen në qoftë se do të thellohet kriza tutje sepse vetëm atëherë mund ta shohim realisht ndikimin e ndalimit të fondeve në këto sektorë”, thotë Stublla.





























