Përmes një komunikate për media, nga KFOR-i kanë thënë se ishin të pranishëm në zonën e krizës, duke vëzhguar aksionin e Policisë së Kosovës, teksa pohojnë se kanë vepruar ngushtë me institucionet e Kosovës dhe EULEX-in.
“Siç është theksuar edhe në deklaratën e KFOR-it të lëshuar më 24 shtator 2023, pas sulmit të kryer kundër Policisë së Kosovës në Banjskë, Policia e Kosovës ka ndërhyrë në përputhje me prerogativat e saj të zbatimit të ligjit, si reaguese e parë. Trupat e KFOR-it ishin të pranishëm në zonë. Ata vëzhguan nga afër situatën dhe ishin të gatshëm të përgjigjeshin, nëse kërkohej. Gjatë gjithë kohës, Policia e Kosovës, EULEX-i dhe KFOR-i kanë vepruar në koordinim të ngushtë, respektivisht si reagues i parë, i dytë dhe i tretë”, thuhet në njoftimin e KFOR-it.
Komandanti i KFOR-it, sipas komunikatës, mbetet në kontakt të rregullt me të gjitha palët e interesuara, “përfshirë EULEX-in, përfaqësuesit e institucioneve në Kosovë dhe të organizatave të sigurisë së Kosovës, si dhe shefin e Shtabit të Forcave të Armatosura të Serbisë”.





























