Ai vlerëson bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, derisa thotë se KFOR-i vazhdon të operojë si reaguesi i tretë i sigurisë.
“Ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të parandaluar çdo përshkallëzim dhe jemi të gatshëm t’i përgjigjemi çdo sfide, duke e përshtatur qëndrimin tonë sipas nevojës, dhe duke vazhduar bashkëpunimin e ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in”, thotë ai.Intervista e plotë me komandantin e KFOR-it, Ozkan Ulutash:
Çfarë mund të na thoni për situatën në Kosovë pas agresionit të 24 shtatorit në Banjskë te Zveçanit?
Ulutash: Në përgjithësi, situata në terren është e qetë, por e brishtë. Ne po ndjekim nga afër çdo zhvillim të rëndësishëm të sigurisë. Pas një rritjeje të tensioneve në muajt e fundit, NATO ka vendosur 1000 trupa shtesë dhe mjete më të rënda. Ne kemi katërfishuar praninë e KFOR-it në veri të Kosovës dhe kemi trefishuar numrin e patrullave, duke përfshirë edhe përgjatë vijës kufitare administrative. Këto janë hapa të matur për të siguruar që misioni i KFOR-it të ketë burimet e nevojshme. Ne kemi një qëndrim të shkathët dhe fleksibil në të gjithë Kosovën që na lejon t’i përgjigjemi çdo skenari, duke respektuar plotësisht mandatin tonë të OKB-së. KFOR-i është i fokusuar në zbatimin e mandatit të tij të OKB-së – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të siguruar një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.





























