Pas samitit të Procesit të Berlinit që u mbajt më 3 nëntor, Bërnabiq u tha gazetarëve se ka pasur një bisedë të ndarë me shefin e diplomacisë së BE-së, Josep Borrell, dhe me të dërguarin e posaçëm të bllokut për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak. Me dy zyrtarët e BE-së, Bërnabiq tha se ka biseduar për çështjen e riregjistrimit të makinave në Kosovë që kanë targa të lëshuara nga Serbia.
“Kurti ka shkelur të gjitha marrëveshjet e arritura sa i përket targave, ato të vitit 2011 dhe 2016, por edhe atë të shtatorit të vitit 2021, dhe njëanshëm ka hequr nga përdorimi targat me status neutral [KS]. Ata thonë se pajtohen që targat KS duhet të ekzistojnë, por shtojnë se nuk mund të bëjnë asgjë për këtë temë, dhe kjo për mua është shkatërruese”, tha Bërnabiq.Bërnabiq tha se gjatë një dreke pune, “kërkova nga përfaqësuesit e BE-së që të kuptojnë” se besueshmëria e bllokut evropian po vihet në pikëpyetje, për shkak se BE-ja, sipas saj, nuk po mund të sigurojë zbatimin e marrëveshjeve të Brukselit të arritura që nga viti 2013.
“BE-ja toleron Kurtin kur ai thotë se nuk do të zbatojë marrëveshjet e Brukselit. Në anën tjetër, ata na bëjnë presion ne që të nënshkruajmë marrëveshje të tjera, marrëveshjen finale. U thash atyre se BE-ja është garantuese e marrëveshjeve të Brukselit dhe ata duhet t’i zbatojnë ato, dhe më pas mund të vazhdojmë bisedimet. I pyeta se si mund të flasim për marrëveshje të tjera kur ata nuk mund të garantojnë zbatimin e marrëveshjes së parë për normalizim të raporteve të vitit 2013”, shtoi ajo.





























