Në bazë të zhvillimeve të fundit në botë, indikatorët tregojnë se çmimi i derivateve do të bjerë në javët e ardhshme.
Rigjallërimi i marrëveshjes së rëndësishme bërthamore me Iranin mund të ndihmojë në uljen e çmimit të naftës, që u rrit nxitur nga sanksionet kundër Rusisë, thotë ministri i Jashtëm i Irlandës, Simon Coveney, shkruan BBC.
Coveney tha se një marrëveshje e re, e cila ai shpresonte se mund të arrihej që këtë fundjavë, do të ofronte një mundësi për Iranin që të rihynte në tregun e furnizimit.
“Duket sikur jemi pothuajse aty. Ky është lajm i mirë në momentin më të duhur”, deklaroi Coveney.
Sanksionet u vendosën ndaj Teheranit pasi u tha se kishte shkelur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 – e njohur zyrtarisht si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) – i arritur midis Iranit dhe gjashtë vendeve të tjera.
Një marrëveshje e re do të lehtësonte këto sanksione në këmbim të heqjes dorë nga Irani nga ambiciet për të ndërtuar një armë bërthamore.
Britania dhe BE-ja po kërkojnë të shkëputen nga varësia e tyre nga nafta ruse në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga presidenti Vladimir Putin.