Mungesa e hetimeve që çojnë në zgjidhjen e rasteve të dhunës, dënimet e ulëta nga Gjykatat, si dhe mosreagimi i duhur nga ana e Policisë, po vlerësohen si disa nga faktorët që po ndikojnë në rritjen e numrit të rasteve të dhunës në familje. Gratë, si viktimat më të shpeshta frikësohen t’i denoncojnë bashkëshortët, çka i shtynë ata që ta përsërisin veprën e njëjtë.
Një rast i tillë është denoncuar në Polici nga një grua nga Kçiqi i Madh në Mitrovicë, e cila e ka raportuar bashkëshortin për dhunë fizike dhe psikike.
Ajo ka deklaruar para hetuesve policorë se që një kohë të gjatë ai po ushtron dhunë psikike ndaj saj, pasi janë të martuar që rreth 10 vite.
Dhuna e presioni që ka përjetuar për këtë kohë dyshohet se kulmoi me rastin e fundit, që ndodhi gjatë ditës së djeshme, kur bashkëshorti e sulmoi fizikisht.
Sinjali mëson se në dëshminë e saj të dhënë në Polici thuhet se bashkëshorti i saj ka ushtruar dhunë psikike ndaj saj në mënyrë sistematike.





























