Këshilli Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës në Kosovë, së bashku me Këshillin për Mbrojtjen e Veteranëve të UÇK-së, kanë kërkuar nga Qeveria rritjen e pensioneve për familjarët e viktimave dhe veteranët e luftës, raporton Ekonomia Online.
Ata kanë thënë se 170 euro në muaj, aq sa marrin këta familjarë, nuk janë të mjaftueshme, sidomos në këtë kohë krize, dhe kanë kërkuar që pensioni të rritet në 260 euro. Të dyja këto këshille patën kritika për Qeverinë, prej të cilës nuk kanë marrë përgjigje, edhe pas parashtrimit të kërkesave të tyre.
Ahmet Grajqevci, kryetar i Këshillit Koordinues për të Zhdukurit dhe Krimet e Luftës, tha se këto kërkesa duhet të përfillen nga Qeveria dhe deputetët e Kosovës, të cilët siç ka thënë, “para se të ulen në karrigen e deputetit, apo të zyrtarit, duhet të mendojnë se janë ulur mbi eshtrat e atyre që nuk janë sot”.





























