Prerja ilegale e pyjeve është një dukuri e shpeshtë në Kosovë. Persona të ndryshëm kapen në flagrancë nga zyrtarët e pylltarisë duke prerë dru në pyje, të cilët më pas i zë sherri me të dyshuarit. Një rast i tillë ka ndodhur mbrëmë në fshatin Gumnishtë të Vushtrrisë.
Sinjali mëson se një rojë i pyllit ka denoncuar në Polici dy persona, për të cilët ka deklaruar se e kanë kanosur pasi i kapi në flagrancë duke prerë dru ilegalisht.
Bazuar në dëshminë e viktimës, dy të dyshuarit pasi ishin kapur me sharrë motorike në dorë, kanë kërcënuar 57-vjeçarin duke i thënë që mos t’iu afrohet, mos ta thërras Policinë dhe mos t’iu dalë përpara kurrë.
Dy të dyshuarit menjëherë janë larguar në drejtim të fshatit Bare dhe të njëjtit nuk janë identifikuar ende nga Policia.
Me urdhër të prokurorit, rasti është cilësuar ‘Kanosje’, ndërsa veprimet tjera ligjore do merren posa të kapen të dyshuarit.





























