Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Rrahman Jasharaj, ka thënë se nëse kryeministri Albin Kurti, bazuar në deklaratat e tij, po i do që shkollat të jenë me nxënës, atëherë duhet të fillojë me realizimin e kërkesave të tyre.Jasharaj përmes një konference për shtyp të enjten ka thënë se greva po vazhdon dhe është unike, derisa pati kritika për Qeverinë, e cila sipas tij, po humb kohë duke u shëtitur nga një komunë në tjetrën dhe po injoron dialogun me ta.
“Jemi në pritje të dialogut. Deklaratat e Nagavcit se janë të gatshëm të takohen me SBASHK-un, janë sa për të krijuar një porosi të gabuar. Për t’u takuar me ne, duhet të kemi ftesë sepse ne nuk mund të shkojmë te MASHT-i dhe të presim me orë të tëra. Nëse do të na takojë, le ta në dërgojë një letër. Letrën e presim më së shumti nga kryeministri Kurti. Qeveria duhet të takohet me ne. Ne jemi në rrugë të drejtë dhe kërkesat tonë janë legjitime”, ka thënë Jasharaj.
Kreu i SBASHK-ut theksoi edhe një herë se nuk do të heqin dorë nga greva deri në plotësimin e kërkesave të tyre, siç janë ndarja e 100 eurove për mësimdhënësit deri në miratimin e Ligjit për paga.




























