Por, kjo do të ndryshojë pas 5 prillit, kur hyn në fuqi vendimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për tarifën prej 10 për qind për importet nga Kosova.
Masa tregtare për Kosovën është pjesë e një vendimi më të gjerë të Uashingtonit, që shënjestron me tarifa të gjitha vendet e botës.
Pronari i kompanisë, Valon Osmani, thotë se ky vendim do të ketë ndikim në biznesin e tij, pasi shumica e konsumatorëve janë amerikanë.
Kompania Walone Fashion Group njihet për fustanet elegante dhe moderne të nusërisë.
Osmani thotë se që shtatë vjet eksporton produkte në SHBA që kapin vlerën deri në 800.000 euro në vit.
“Tani jemi në siklet, pasi nuk e dimë si do të reagojnë klientët, a do të vazhdojnë të porosisin apo do të anulohen disa porosi. Tani mbetet të shohim si do të ndikojë kjo situatë. Normalisht, do të marrim disa masa në varësi të zhvillimeve”, thotë ai.
Organizatat ekonomike në vend kanë paralajmëruar se tarifa prej 10 për qind do të rrisë çmimet e produkteve me origjinë nga Kosova, duke sjellë pasoja për bizneset.
Ato thonë se që nga viti 2019, eksportet e përgjithshme të Kosovës në SHBA kanë shënuar rritje të ndjeshme dhe kryesisht për shkak të përmirësimit të cilësisë së produkteve.






























