Rastet e nxitjes së përhapjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve të ndryshme, duke përfshirë ato racore, fetare, etnike e të tjera nuk janë edhe të rralla në vendin tonë. Për një rast të tillë që dyshohet se ka ndodhur sot në Mitrovicën Veriore, Policia ka nisur hetimet.
Një qytetar ka kërkuar ndihmën e Policisë, pasi te shtëpia e tij ka gjetur mbishkrime të ndryshme.
Viktima e ka denoncuar rastin menjëherë dhe në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë policore përkatëse.
Sipas raportimit të Sinjalit, persona akoma të paidentifikuar, në murin e shtëpisë së viktimës kanë lënë disa mbishkrime si “Kosova është Serbi” dhe kanë shkruar datën e 24 shtatorit, kur ndodhi sulmi nga një grup i terroristëve serbë që vranë një polic të Kosovës.
Pas përfundimit të procedurave të nevojshme, lidhur me detajet e rastit është vënë në dijeni edhe Prokurori i Shtetit.
Me vendim të tij, është iniciuar hetim dhe është urdhëruar që të ndërmerren veprimet e nevojshme që të identifikohen të dyshuarit dhe të sigurohet prezenca e tyre.