Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kujtuar masakrën e Poklekut dhe Çikatovës së Vjetër në Drenicë, në 23-vjetorin e kësaj masakre, ku mbetën të vrarë 77 shqiptarë civilë të paarmatosur, mes tyre edhe fëmijë.
Kurti ka thënë se këto krime të kryera nga forcat serbe nuk mund të zhduken e as të harrohen dhe mbeten dëshmi pavarësisht përpjekjeve të Serbisë për t’i zhdukur gjurmët e krimit në Kosovë.
“Midis tyre pesë foshnja, nga gjashtë muaj e deri në dy vjeç. Për shtetin serb që po zbatonte planin e gjenocidit ndaj shqiptarëve nuk kishte rëndësi mosha. Pasi i vranë, trupat e viktimave të Masakrës së Paklekut i dogjën bashkë me shtëpitë. Disa i dogjën dy herë e disa i hodhën në puse. Ndërsa trupat e viktimave të Masakrës së Çikatovës i dërguan në varrezën masive në Rudnicë të Rashkës në Serbi. Ishin përpjekje të forcave të armatosura serbe për të zhdukur gjurmët e krimit të Serbisë në Kosovë. Por këto krime nuk mund të zhduken. E as të harrohen. Mbeten dëshmi radhët e varreve dhe dhimbja në shpirtra”, ka shkruar Kurti në Facebook.