Në vazhdimësi është raportuar për arrestimin e personave të dënuar nga Gjykatat në vend për vepra të ndryshme penale, por që të cilët arrijnë t’iu ikin vuajtjes së dënimit. Në listën e personave që janë kapur së fundmi nga Policia është edhe një 28-vjeçar, i cili është arrestuar sot në rrugën “Rifat Dedia” në Mitrovicë.
Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se bëhet fjalë për Samed Halitin, i cili ka rezultuar person i shpallur në kërkim policor, pasi u ndalua për verifikim nga Policia, sot në orët e paradites.
Ai po kërkohej me urdhëresë të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, pasi ishte shpallur fajtor për veprën penale “vjedhje e rëndë” dhe ishte dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim, por kishte qëndruar në arrati që një kohë.
Pas arrestimit i dyshuari është dërguar në vuajtje të dënimit, në njërën nga qendrat korrektuese.





























