Lidhja e Bizneseve të Kosovës shpreh shqetësimin e saj lidhur me vendimet e disa komunave të Kosovës për ndalimin e punës së bizneseve ditën e diel. Sipas tyre kjo gjë do të kufizojë aktivitetet ekonomike, e rrjedhimisht do të ndikojë edhe në ngadalësimin e rritjes ekonomike në përgjithësi.
Kryetari i Lidhjes së Bizneseve, Besart Dreshaj thotë se kufizimet e punës në ditën e diel do të kenë ndikim negativ në performancën ekonomike, duke kufizuar të ardhurat potenciale të biznesit dhe mund të sjellë përkeqësim të situatës për punonjësit e tyre.
“Në një shoqëri ku sektori privat luajnë një rol kyç në zhvillimin ekonomik dhe krijimin e vendeve të punës, është e rëndësishme që politikat qeverisëse të mbështesin dhe në vend që politikat e institucioneve qeverisëse të nivelit qendror dhe komunal duhet të përkrahin dhe inkurajojnë investimet e ndërmarrjeve private, ashtu që ato të mund të luajnë rolin e tyre të duhur në përmirësimin e situatës socio-ekonomike”, thotë ai.
Dreshaj thekson se sipas dispozitave kushtetuese, ekonomia e tregut me konkurrencë të lirë është bazë e rregullimit ekonomik të Kosovës. Andaj “në këtë aspekt, iniciativat dhe vendimet e Qeverisë dhe komunave duhet të jenë në përputhje me dispozitat e sipërcekura dhe assesi nuk duhet të jenë pengesë për fuqizimin e sektorit privat”, raporton Paparaci.





























