Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në mëngjesin e të enjtes është ndaluar një shofer duke drejtuar veturën Audi me shpejtësi 215 kilometra në orë në rrugën nacionale Prishtinë – Mitrovicë, ku shpejtësia e lejuar është 80 kilometra në orë.
Siç është njoftuar në postimin e Policisë në Facebook, shoferi është ndaluar në fshatin Gracë. Ai është gjobitur me 300 euro, ndërsa i janë marrë tri pikë dhe i është pezulluar leja për tre muaj.
“Më datën 25.05.2023 rreth orës 04.00 shoferi i veturës Audi, ka tejkaluar patrullën e trafikut në rrugën nacionale Prishtinë-Mitrovicë, duke arritë shpejtësinë e veturës në 215 km/h, në zonën e kufizimit 80. Në bashkëpunim me patrullën e rajonit të Mitrovicës është ndaluar ngasësi i automjetit në fshatin Gracë. Ndaj shoferit janë ndërmarrë masat ligjore”, thuhet në njoftimin e Policisë.





























