Në këtë konferencë po diskutohet agjenda e përpiluar nga turpi gjykues, ku ndër pyetjet që trupi gjykues ka parashtruar për Prokurorinë është: se pse besojnë se duhen mbi 700 orë dëshmi të drejtpërdrejta në pyetje në këtë çështje, kur kjo shifër tejkalon kohën e caktuar për Prokurorinë në çështjet e mëparshme komplekse pranë gjykatave të ndryshme penale ndërkombëtare dhe gjykatave speciale?
Gjykatësi Charles L Smith ka pyetur Prokurorinë se sa do të jetë numri i saktë i dëshmitarëve që do të paraqesin dëshmitë e tyre lidhur me krimet e pretenduara dhe strukturën e UÇK-së.
Prokuroria ka bërë të ditur se do të jenë më shumë se 312 dëshmitarë, dëshmitë e të cilëve mund të jenë përputhëse dhe përsëritëse.
Smith tha se me sa duket Prokuroria ka ndërmend të paraqes prova për çdo viktimë të pretenduar dhe çdo vend krimi dhe se pa minimizuar natyrën e rëndë të këtyre pretendimeve, gjykata vëren se strategjia e paraqitjes së provave për çdo vend krimi mund të marrë shumë kohë dhe jo domosdoshmërisht ka peshë.
“Çdo përpjekje e ZPS për të qenë shteruese do të kalojë kufirin kohor që kemi caktuar për paraqitjen e provave. Ne e lusim Prokurorinë që të vazhdojë me rishikimin e këtyre vendeve të krimit në mënyrë që të bëhet zvogëlimi i numrit të tyre dhe sa i përket strukturës së çështjes se ZPS nuk është e domosdoshme që për shembull provat lidhur me zinxhirin komandues të UÇK-së duhet të paraqiten në mënyrë të strukturuar, koherente dhe logjike. E kemi kërkuar këtë nga ZPS, por nuk kemi pasur shumë sukses dhe më tej kërkojmë qasje të tillë prej Prokurorisë”, tha ai.
Më tej gjykatësi ka deklaruar se kanë paraqitur shqetësimin lidhur me numrin e orëve që do ti jepen dëshmitarëve pas paraqitjes së dëshmive. Ai ka pyetur sërish prokuroren e ZPS-së se a kanë bërë diçka për të zvogëluar numrin e orëve.





























