Sipas saj gjatë vitit të kaluar, Kosova ka bërë progres të jashtëzakonshëm në avancimin e demokracisë, forcimin e sundimit të ligjit dhe luftimin e korrupsionit.
“Jemi duke e zbatuar Strategjinë Kombëtare për Sundimin e Ligjit, krahas reformave të pakompromis dhe me ritme rekorde për ta garantuar një qeverisje llogaridhënëse, të barabartë dhe efektive në të gjitha institucionet publike. Përpjekjet tona janë njohur në mbarë botën”, ka theksuar Osmani.
Por përkundër kësaj ditë më parë në raportin e tij, Departamenti Amerikan i Shtetit, korrupsioni qeveritar e ka listuar si problem serioz në Kosovë.
Në raportin për vitin e kaluar, thuhet se nuk janë ndëshkuar disa zyrtarë, pavarësisht se janë përfshirë në afera korruptive.Ndërkohë Osmani ka thënë gjithashtu se Kosova ka punuar pa u ndalur për ta avancuar diversitetin dhe gjithëpërfshirjen, siç ka thënë ajo, si themel për mbrojtjen e të drejtave të njeriut.
“U zotuam për krijimin e Këshillit Presidencial për Demokraci dhe të Drejta të Njeriut dhe ia arritëm. Ky Këshill ka siguruar mbikëqyrjen e zotimeve dhe angazhimeve tona nga institucionet më të larta në vend dhe në çdo shtresë të qeverisjes, dhe puna e këtij Këshilli do të vazhdojë edhe përtej edicionit të dytë të Samitit.Ne jemi gjithashtu krenarë të raportojmë mbi miratimin e një strategjie të guximshme kombëtare kundër dhunës me bazë gjinore dhe për ndërmarrjen e hapave domethënës për të garantuar vendin e merituar të grave në institucionet publike dhe role vendimmarrëse”, ka theksuar Osmani.





























