Pas marrjes së informatës, e cila ka qarkulluar gjatë ditës në portale të ndryshme të vendit, në lidhje me ngjyrosjen e disa trotuareve në Vushtrri, zyrtarët kompetentë të Komunës së Vushtrrisë së bashku me zyrtarët policorë nga Stacioni Policor në Vushtrri kanë dalë në vendin e ngjarjes për të parë nga afër këtë veprim të paautorizuar të kryer nga një qytetar i Vushtrrisë.
Policia ka njoftuar opinionin publik se sot në rrugën “Lidhja e Lezhës” në Vushtrri, një qytetar me inicialet F.D. (1934), në mënyrë të paautorizuar ka bërë ngjyrosjen e trotuareve me ngjyrat: e kuqe, e bardhë dhe e kaltër, para shtëpisë së tij.
“Sipas deklaratës së personit që ka kryer këtë veprim, ai e ke bërë këtë veprim në shenjë nderimi të disa miqve të tij nga Luksemburgu, dhe qëllimi i tij ka qenë që t’i nderojë miqtë nga Luksemburgu me këtë veprim.”, thuhet në deklaratën e policisë.
Nga ana e institucioneve shtetërore, palës i është dhënë afat prej 24 orësh që ngjyrat t’i ndërrojë, ndërkaq procedura ligjore ndaj tij do të iniciohet sipas ligjit.
Komuna e Vushtrrisë është zotuar se nuk do të lejojë degradimin e asnjë hapësire publike dhe ndaj personave që bëjnë shkelje të tilla do të ndërmerren masa ligjore





























