Policia e Kosovës ka lëshuar një komunikatë, përmes sëcilës ka njoftuar publikun për vendosjen e sistemit të vëzhgimit me kamerë në komunat e veriut të Kosovës.
Sipas policisë, ky aktivitet po bëhet me qëllim për zvogëlimin e rrezikut nga kryerja e veprave penale.
Policia e Kosovës dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi njoftojnë publikun për vendosjen e sistemit të vëzhgimit me kamerë në komunat e pjesës veriore të Kosovës, i cili aktivitet zhvillohet në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional. Ky aktivitet është bërë në konsultim mes dy institucioneve në ushtrimin e mandatit të tyre ligjor. Bazuar në Ligjin Nr. 04/L-076 për Policinë, Policia e Kosovës është e autorizuar të bëjë vëzhgim parandalues të vendit publik, duke përdorë pajisje për incizime video-akustike dhe pajisje fotografike për t’i vëzhguar vendet publike ku në të kaluarën shpesh janë kryer vepra penale, apo ku ka arsye të bazuar të besohet se vëzhgimi publik do ta zvogëlonte rrezikun nga kryerja e veprave penale dhe do ta përmirësonte sigurinë publike në të ardhmen, në pajtim me Kodin e Procedurës Penale”, thuhet në njoftim.





























