Ujësjellësi Rajonal Mitrovica ka njoftuar se furnizimi me ujë të pijshëm në pjesën më të madhe të rajonit momentalisht është i kënaqshëm.
Megjithatë parashikimet për reshje edhe në ditët në vazhdim mund të sjellin telashe për furnizim të rregullt me ujë për qytetarët.
“Duke pasur parasysh parashikimet nga Instituti Hidrometorologjik i Kosovës dhe faktit se prap priten reshje atmosferike, rekomandojmë konsumatorët që të sigurojnë rezerva të ujit si për pije ashtu edhe për nevoja tjera shtëpiake, pasi që kthimi i reshjeve do të mund ndikonte në furnizimin normal me ujë të pijes,” thuhet në një njoftim të Kompanisë.
Ndryshe në disa lokalitete në Mitrovicë uji nuk u lëshua fare për shkak të problemeve të shkaktuara nga vërshimet e së enjtes.
Ujesjellësi njofton se Fshati Kçiq, Koshtovë dhe Vërnicë si pasoj e prishjes së pompave të ujit apo edhe si pasojë e pamundësisë së çasjes në stacion të pompave për shkak të vërshimeve ende nuk kanë furnizim me ujë të pijes nga ujësjellësi.
“Ekipet tona janë duke punuar në drejtim të evitimit edhe të këtyre problemeve por ende nuk mund të themi saktësisht se kohën se kur do të evitohen problemet.Po ashtu si pasojë e dëmtimit të urës mbi lumin Lushta dhe largimit të urës së dëmtuar e cila pritet të ndodhë gjatë ditës nga ana e kontraktuesit komunal, do të jemi të detyruar që të ndërprejmë përkohësisht furnizmin me ujë të pijes për Rr. “Afrim Hajrizi”.”
Sa i përket cilësisë së ujit, analizat e bëra konfirmojnë se uji i pijes është i sigurt për konsum.
“Sidoqoftë, nëse ka raste që në rrjetin sekondar apo terciar që vërehen dyshime për cilësinë e ujit atëherë konsumatorët duhet të veprojnë me kujdes dhe ujin e pijes ta vlojnë paraprakisht,” thuhet në njoftim.





























