Profesori i matematikës, Vesel Sahiti sot do emërohet në pozitën e ushtruesit të detyrës së drejtorit të gjimnazit “Frang Bardhi” në Mitrovicë, mëson nga burimet e veta “Mitropol”.
Emërimi i Sahitit vjen pas shkarkimit të ish-drejtoreshës Zybejde Gogolli-Latifi nga kjo pozitë në qershor të këtij viti, për çka ”Mitropol” kishte raportuar ekskluzivisht.
Vendimi për shkarkim të ish-drejtoreshës ishte marrë nga Këshilli i Pavarur Mbikqyrës për Ankesa dhe Parashtresa, këshill ky që është instanca më e lartë vendimmarrëse. Burime të “Mitropol” kishin njoftuar se deri tek vendimi kishye ardhur pas ankesës së Luan Mehmetit, drejtorit aktual të shkollës fillore “Migjeni”, i cili në konkursin e tri viteve më parë për drejtor në gjimnaz kishte aplikuar në të njejtën kohë me drejtoreshën Gogolli-Latifi.
Kërkesa e Mehmetit u vlerësua si legjitime nga KPMAP, tri vite pasi ushtroi ankesën, meqë Gogolli-Latifi nuk plotëson kriteriumet e kërkuara për emërim në pozitën e drejtorit.
Emërimi i Sahitit në pozitën e U.D të drejtorit do jetë i përkohshëm, deri në zgjedhjen e drejtorit të ri.
Ndryshe, Vesel Sahiti është anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës në Mitrovicë, andaj “Mitropol” nga burime të mirëinformuara mëson se emërimi i përkohshëm i tij në këtë pozitë lidhet me kalkulimet politike të pushtetit, respektivisht Drejtorisë së Arsimit me në krye Drita Kadriun për ruajtjen e vendit për një emër tjetër të cilit po i ruhet pozita e drejtorit.
“Mitropol” do hulumtojë rastin dhe do ju mbajë të informuar për zhvillimet e reja në këtë drejtim.





























