Gruaja 73-vjeçare, e cila u godit dje nga një veturë në rrugën “Agim Ramadani Katana”, pranë Interexit në Mitrovicë, u dërgua dje për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, ndërsa shoferi i dyshuar është arrestuar dhe dërguar në mbajtje, njofton Mitropol.
Mitropol raportoi dje ekskluzivisht për aksidentin që ndodhi në orët e pasdites, ku e moshuara pësoi lëndime të rënda trupore pasi u godit nga një automjet.
Nga Spitali Rajonal “Dr. Sami Haxhibeqiri” në Mitrovicë ishte konfirmuar se pacientja, e lindur më 1953, ishte pranuar në gjendje të rëndë shëndetësore dhe se gjatë ekzaminimeve ishte konstatuar gjakderdhje në tru si pasojë e lëndimeve të marra në aksident.
Ndërkohë, në raportin 24-orësh të Policisë së Kosovës janë bërë të ditura detaje shtesë lidhur me rastin.
Sipas policisë, është arrestuar burri i dyshuar, pasi dyshohet se derisa po drejtonte automjetin e tij, nga pakujdesia ka goditur viktimën.
“Viktima është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje”, thuhet në njoftimin policor.
Autoritetet kompetente po vazhdojnë hetimet për të sqaruar plotësisht rrethanat e aksidentit që tronditi qytetarët në këtë zonë të frekuentuar të Mitrovicës./Mitropol/






























