Një rast i rëndë i dhunimit është raportuar këtë të hënë në Mitrovicë. Sipas të dhënave zyrtare nga Policia e Kosovës, rreth orës 13:00 të datës 1 dhjetor 2025, është arrestuar një person i dyshuar, pasi që ekziston dyshimi se ai ka kryer marrëdhënie seksuale me një viktimë femër kosovare pa pëlqimin e saj, njofton Mitropol.
Pas marrjes së informacionit, njësitet relevante policore kanë ndërhyrë menjëherë dhe e kanë shoqëruar të dyshuarin për intervistim. Prokurori i rastit ka urdhëruar që, pas procedurave fillestare, i dyshuari të dërgohet në mbajtje, ndërsa hetimet po vazhdojnë për zbardhjen e plotë të rastit.
Institucionet e sigurisë u bëjnë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo formë të dhunës seksuale dhe të kërkojnë ndihmë në rastet kur ndihen të rrezikuar. Autoritetet janë duke trajtuar rastin me prioritet, duke theksuar rëndësinë e mbrojtjes së viktimave dhe ndëshkimit të kryerësve.





























