Nga DASH thanë se “ky veprim nuk ishte i koordinuar me partnerët ndërkombëtarë” dhe se ai “përshkallëzon tensionet”.
“Ai (veprimi) minon perceptimin se Kosova po vepron me vullnet të mirë për zgjidhjen e çështjeve mes saj dhe Serbisë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Zërin e Amerikës.
Zëdhënësi vë në dukje se “qeveria e Shteteve të Bashkuara ka kërkuar vazhdimisht koordinim ndërmjet qeverive tona” në mënyrë që ta mbështesë përparimin e Kosovës në rrugën e saj euroatlantike, përfshirë së fundmi “nga nënsekretarja e shtetit Elizabeth Allen në takimin e saj me kryeministrin Kurti më 19 maj”.
Departamenti i Shtetit përsëriti shqetësimin e Shteteve të Bashkuara lidhur me masat e Bankës Qendrore të Kosovës për kufizimet mbi përdorimin e dinarit serb.“Ne i bëjmë thirrje qeverisë së Kosovës që t’i kthehet angazhimit konstruktiv në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja si rruga e duhur për zgjidhjen e çështjeve që kanë të bëjnë me normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe t’u përgjigjet adresojë nevojave bazë të të gjithë qytetarëve të saj — përfshirë ato të pakicës serbe – e ndikuar negativisht nga ndryshimet e fundit në rregulloren për monedhën”.
Policia e Kosovës tha se operacioni për mbylljen e njësive të kësaj banke u krye në bashkëpunim me Bankën Qendrore të Kosovës dhe Administratën Tatimore të Kosovës dhe se synimi ishte “vendosja e rendit dhe ligjshmërisë”, duke e quajtur Bankën Postare Kursimore në Veri të vendit, ilegale”.
Policia tha se janë konfiskuar “rreth një milionë e 600 mijë euro, 74 milionë e 700 mijë dinar, 19 mijë e 500 franga, 13 mijë e 800 dollar amerikan, 40 dollar australian si dhe dokumente dhe prova tjera”.
Operacioni i së hënës ndodhi gati katër muaj pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, sipas së cilës euroja është valuta e vetme që mund të përdoret për pagesa me para në dorë në Kosovë.
Kosova dhe Serbia ishin pajtuar të bisedojnë në Bruksel me lehtësimin e Bashkimit Evropian për të gjetur një zgjidhje për çështjen e pagesave por pa sukses edhe pas shtatë takimesh.





























