“Ne ritheksojmë pritshmërinë tonë që Serbia të luajë rolin e saj për të siguruar përgjegjësi të plotë për autorët e sulmit pa vonesa të mëtejshme”, tha në një përgjigje për shërbimin serb të Zërit të Amerikës, një zëdhënës i DASH-it.
Kosova shënoi të martën njëvjetorin e sulmit, kur një grup serbësh të armatosur vranë një oficer policie.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të ushtrojë trysni ndaj Beogradit që të dorëzojë personat e armatosur, që u tërhoqën në Serbi pas një përleshjeje 12 orëshe me policinë një vit më parë.
Përgjegjësinë për organizimin dhe drejtimin e grupit e mori përsipër Milan Radoiçiq, i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara dhe me lidhje të fuqishme me Beogradin dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
Në dhjetor të vitit 2023 emri i tij është vënë në një urdhër arresti të Policisë Ndërkombëtare, INTERPOL.