Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, takimin e parë bilateral në kuadër të Forumit të Varshavës për Siguri, e ka zhvilluar me ministren e Punëve të Jashtme të Letonisë, Baiba Braze.
Në komunikatën e Zyrës së Kryeministrit thuhet se Kurti e falënderoi ministren për kontributin e Letonisë në sigurinë e vendit tonë përmes pjesëmarrjes së saj në misionin e NATO-s në Kosovë, KFOR.
Gjithashtu bëhet e ditur se Kurti e ka njoftuar ministren Brzže për zhvillimet në vend si dhe për raportet me Serbinë, duke përmendur kështu edhe sulmin në Banjskë.
“Gjatë takimit u diskutua edhe rreth zhvillimeve rajonale dhe situatës së sigurisë në kontinentin e Evropës, teksa agresioni ushtarak rus mbi Ukrainën po vazhdon dhe për rolin dhe përgjegjësinë që shtetet evropiane kanë për të mbështetur në mënyrë të pa rezervë Ukrainën në luftën e saj për çlirim, integritet territorial, sovranitet dhe demokraci”.
“Gjithashtu, kryeministri Kurti e njoftoi ministren Braze për zhvillimet në vend, raportet me Serbinë, rreziqet që ajo paraqet për Ballkanin Perëndimor për shkak të lidhjeve të afërta me Rusinë dhe për përfshirjen e saj të drejtpërdrejtë në organizimin dhe ekzekutimin e sulmit terrorist dhe paramilitar të një viti më parë në Banjskë, gjatë të cilit u vra rreshteri policor, Afrim Bunjaku, ndërkohë që autorët e sulmit vazhdojnë të jenë të lirë e të mbrojtur në Serbi dhe nga Serbia”, thuhet tutje në komunikatë.