Nënshkrimi i peticionit për largimin e kryetarëve veriorë është duke shkuar drejt fundit, thonë zyrtarë serbë të ngarkuar me këtë detyrë.
Procesi i nënshkrimit të peticionit për shkarkimin e Lulzim Hetemit, kryetarit të Leposaviqit ka përfunduar në ora 13:00.
Lajmin e ka konfirmuar një nga iniciatorët e peticionit Veselin Radoviq.
“Sapo po përfundojmë me nënshkrimin e peticionit, kemi një numër të mjaftueshëm dhe pres që të ketë më shumë nënshkrime, andaj shfrytëzoj rastin që të falënderoj qytetarët e Leposaviqit për përgjigjen e tyre”, tha Radoviq për Kosova Online, shkruan Gazeta Sinjali.
Ai ka theksuar se numri i saktë i nënshkrimeve do të dihet të hënën dhe se gjithçka ka shkuar mirë.
“Deri të hënën do t’i kemi të gjitha rezultatet e sakta dhe do ta përfundojmë peticionin. Nuk ka pasur teprime apo parregullsi, kështu që gjithçka ka shkuar mirë”, tha Radoviq.
Procesi është duke shkruar drejt fundit edhe në Zubin Potok.
Një nga iniciatorët e peticionit për shkarkimin e Izmir Zeqirit, Srgjan Vuçiniq, deklaroi se janë afër numrit të votave të nevojshme.
“Janë mbledhur shumica e votave të nevojshme dhe nënshkrimi do të vazhdojë derisa të arrijmë qëllimin. Ne po punojmë edhe në këtë kohë të keqe dhe po mundohemi të mbledhim një numër pak më të madh votash se sa është e nevojshme, d.m.th. 1300 vota”, tha ai për Kosova Online.
Ndërsa përfaqësuesi i qytetarëve për mbledhjen e nënshkrimeve për peticionin për shkarkimin e kryetarit të Komunës së Zveçanit, Darko Vuksanoviq, ka deklarua për Kosova Online, se në atë komunë janë mbledhur më shumë nënshkrime se sa duhet për largimin e Ilir Pecit.
Mbledhja e nënshkrimeve të peticionit për shkarkimin e kryetarit të komunës nga radhët e komunitetit shqiptar, Erden Atiq, ka përfunduar dje edhe në Mitrovicën e Veriut.
Në rast se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) konfirmon rezultatin e peticionit, kjo do t’i hapte rrugë shkarkimit të kryetarëve shqiptarë në komunat në veri që u zgjodhën në prill të vitit 2023, pasi zgjedhjet u bojkotuan nga serbët në shenjë pakënaqësie me politikat e Qeverisë së Kosovës.
Në mënyrë që peticioni të jetë i suksesshëm, kërkohet që të mblidhen të paktën 20 për qind e nënshkrimeve nga numri i përgjithshëm i votuesve të regjistruar.





























