Një shtetas i Republikës së Serbisë është arrestuar në Mitrovicë të Jugut, pasi dyshohet se u ka ofruar 20 euro zyrtarëve policorë në këmbim të mosshqiptimit të një gjobe për kundërvajtje në trafik.
Sipas Policisë së Kosovës, rasti ka ndodhur gjatë një pike kontrolli, ku njësia policore kishte ndaluar një automjet pasi drejtuesi i tij kishte tejkaluar shpejtësinë e lejuar.
Derisa zyrtarët po procedonin me shqiptimin e gjobës, i dyshuari dyshohet se u ka ofruar një kartëmonedhë prej 20 eurosh, me qëllim që të shmangte shqiptimin e gjobës.
Policia ka bërë të ditur se personi është arrestuar dhe, pas intervistimit, me urdhër të prokurorit kompetent i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.
Ndaj tij është iniciuar rast për veprën penale “Dhënia e ryshfetit”.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin profesional dhe të paanshëm të autorizimeve ligjore, si dhe në ndërmarrjen e masave ndaj çdo veprimi që cenon integritetin e zyrtarëve policorë dhe zbatimin e ligjit.//Arbresh.info

























