Lista Serbe ka bërë të ditur se nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale të 23 prillit në katër komuna në veri të Kosovës, pasi thotë se nuk janë përmbushur kërkesat që i kanë shtyrë ata të largohen nga institucionet e vendit.
“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka dërguar njoftim partisë sonë politike se nga data 9 mars e deri më 18 mars do të jetë afati i fundit për paraqitje të partisë për pjesëmarrje në zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës e M.. Me këtë rast shfrytëzojmë rastin t’i informojmë qytetarët se partia jonë politike nuk do të marrë pjesë në zgjedhje, sepse nuk janë plotësuar kërkesat për të cilat ne u larguam nga institucionet e Kosovës dhe as nuk do të marrim pjesë në zgjedhje derisa të plotësohen kërkesat tona legjitime”, ka thënë Lista Serbe në komunikatë. “Kjo e bën edhe më të qartë se Prishtina dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve janë duke u përpjekur që në mënyrë të njëanshme të organizojnë zgjedhje në veri të Kosovës e M., kundër vullnetit të qytetarëve, pa respektuar interesat legjitime të popullit serb”, thuhet në komunikatë.
Zgjedhjet e jashtëzakonshme në komunat në veri të Kosovës po mbahen pasi kryetarët e komunave që ishin nga radhët e Listës Serbe dhanë dorëheqje në nëntor të vitit të kaluar, në kuadër të largimit kolektiv të punëtorëve të etnisë serbe nga institucionet e Kosovës.
Ky veprim u ndërmor në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të kryer procesin e riregjistrimit të targave serbe, në targa të Kosovës, vendim i cili më pas u pezullua me një marrëveshje me Serbinë në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian.
Megjithatë, një tjetër kërkesë e Listës Serbe për t’u kthyer institucioneve të Kosovës është edhe formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, për të cilën është rënë dakord në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Autoritetet e Kosovës deri tani e kanë refuzuar zbatimin e kësaj marrëveshjeje, duke e cilësuar të dëmshme dhe duke thënë se nuk mund të lejohet krijimi i bashkësive njëetnike.






























